Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut synojnë një kandidaturë të përbashkët për përfshirjen e rajonit të Prespës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Nisma u diskutua nga ministri Blendi Gonxhja gjatë takimit me ambasadoren e re të Greqisë në Shqipëri, Lambrini Komini. Shqipëria ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur dhe çuar përpara këtë proces, i propozuar nga Ministria e Kulturës e Greqisë.
Përtej nominimit, kjo nismë synon të rrisë mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë natyrore e kulturore të Prespës. Projekti pritet të krijojë mundësi për zhvillim të qëndrueshëm, turizëm cilësor dhe përfshirje më të madhe të komuniteteve lokale.
Tre vendet synojnë që Prespa të shndërrohet në një model europian të bashkëpunimit ndërkufitar, ku natyra, kultura dhe turizmi shërbejnë si ura bashkëpunimi dhe zhvillimi rajonal.
