Shëndeti i syve shpesh merret si i mirëqenë, por kujdesi për shikimin është i domosdoshëm çdo ditë. Ka gjëra të njohura që i dëmtojnë sytë, por edhe disa që mund të jenë surprizuese. Huffington Post, në bashkëpunim me okulistë, ka renditur 5 prej tyre. Natyrisht, çdo rast është i veçantë dhe këshilla më e mirë është gjithmonë të konsultoheni me mjekun.
1. Të flesh me lente kontakti
Nëse nuk janë të miratuara për përdorim të zgjatur, lentet nuk duhen mbajtur kurrë gjatë gjumit, as për një sy gjumë. Kjo praktikë rrit shumë rrezikun e infeksioneve të dhimbshme dhe ulçerave të kornesë, që mund të dëmtojnë seriozisht shikimin.
2. Të fiksohesh gjatë në ekran
Qëndrimi për orë të tëra para kompjuterit apo celularit lodh sytë dhe nxit shfaqjen ose përkeqësimin e miopisë. Rregulli i njohur është 20-20-20: çdo 20 minuta shihni për 20 sekonda një objekt rreth 6 metra larg, për t’u dhënë syve një pushim.
3. Të shmangësh kontrollin te mjeku
Një vizitë te okulisti rekomandohet çdo vit ose maksimumi çdo vit e gjysmë, veçanërisht nëse keni probleme të trashëguara apo sëmundje kronike si diabeti.
4. Të flesh pa hequr grimin
Grimi i lënë gjatë natës pengon lubrifikimin natyral të syve, duke shkaktuar tharje dhe irritim.
5. Të shikosh drejtpërdrejt diellin
Shikimi i diellit pa mbrojtje të posaçme, veçanërisht gjatë një eklipsi, mund të shkaktojë djegie të retinës. As syzet e zakonshme të diellit dhe as truke të vjetra si disqet e kompjuterit nuk mjaftojnë. Duhen filtra të certifikuar.
