Policia e Shtetit ka prezantuar sot, 15 nëntor, planin e detajuar të masave për ndeshjen Shqipëri-Angli, që do të zhvillohet më 16 nëntor, në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”.
Autoritetet kanë njoftuar se janë marrë masa të forta sigurie para, gjatë dhe pas ndeshjes, me qëllim garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së aktivitetit.
Siguria për futbollistët dhe tifozët
- Policia do të shoqërojë futbollistët anglezë nga aeroporti i Rinasit drejt hotelit, në stadium dhe në kthim.
- Në stadium do të kryhen kontrolle të hollësishme për persona të paautorizuar dhe sende të ndaluara, përfshirë banderola raciste, fishekzjarre, flakadanë, mjete piroteknike, monedha metalike, çakmakë, karikues, çadra dhe sende të forta.
- Patrulla të shumta do të jenë të shpërndara në gjithë Tiranën për të garantuar qetësinë publike.
Kufizime qarkullimi në kryeqytet
Nga ora 14:00 deri në përfundim të ndeshjes, disa rrugë pranë stadiumit do të jenë të bllokuara, përfshirë: Papa Gjon Pali II, Dervish Hima, Asim Zeneli, Themistokli Gërmenji, Ismail Qemali, Mustafa Matohiti, Jul Variboba, Lekë Dukagjini, Avdyl Frashëri, Skerdilajd Llagami dhe Faik Konica.
Ndëshkime për shkelësit
- Hyrja në fushë nga persona të paautorizuar dënohet me gjobë 50–100 mijë lekë ose deri në 3 muaj burg.
- Hedhja e sendeve të forta, fishekzjarreve apo flakadanëve dënohet me burg nga 6 muaj deri në 3 vjet.
- Dhuna ndaj sportistëve, trajnerëve apo arbitrave dënohet me 1–3 vjet burg, dhe deri në 5 vjet nëse përsëritet ose kryhet nga persona të klubeve.
Rekomandime për tifozët
Portat e “Air Albania” hapen në orën 15:00. Policia apelon që tifozët të paraqiten herët për të shmangur radhët dhe mundësinë për të mbetur jashtë pak para fillimit të ndeshjes.
Për sigurinë e aktivitetit, janë angazhuar qindra efektivë policie, në bashkëpunim me FSHF-në, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, zjarrfikësen dhe institucionet shëndetësore.
Kjo ndeshje është sfida e fundit kualifikuese për kuqezinjtë, dhe autoritetet po bëjnë çdo përpjekje për të garantuar një zhvillim të qetë dhe të sigurt të saj.
