Në një kohë kur rrjetet sociale janë mbushur me fotografi të përpunuara, imazhe me cilësi të lartë dhe filtra që synojnë përsosmërinë, një trend i ri po tërheq vëmendjen e të rinjve: fotografitë e turbullta, me lëvizje dhe pamje të papërpunuar. Ajo që dikur mund të konsiderohej një foto e dështuar, sot po shihet si një mënyrë origjinale për të kapur momentet.
Ky stil fotografik rikthen një estetikë të njohur nga vitet 2000 dhe epoka e kamerave dixhitale të vjetra. Fotot me fokus jo të qartë, ndriçim të fortë, lëvizje të paqëllimshme apo kokrrizim të imazhit po përdoren gjithnjë e më shumë në postime dhe story në rrjetet sociale. Në vend që të kërkojnë një fotografi perfekte, shumë të rinj po zgjedhin të ruajnë atmosferën e momentit.
Një nga arsyet që e bën këtë trend tërheqës është dëshira për t’u larguar nga imazhet tepër të kuruara. Për vite me radhë, Instagrami dhe platformat e tjera kanë nxitur publikimin e fotografive të rregulluara deri në detaje. Tashmë, një pjesë e përdoruesve po preferojnë përmbajtje që duket më spontane, më personale dhe më pak e përpunuar.
Fotografitë e turbullta krijojnë gjithashtu një ndjesi nostalgjie. Ato kujtojnë albumet e vjetra familjare, daljet me miqtë dhe momentet e kapura rastësisht me kamera që nuk ofronin cilësinë e sotme. Pikërisht papërsosmëria e tyre u jep një karakter të veçantë dhe i bën të duken më autentike.
Ky trend tregon se në botën e rrjeteve sociale, ku gjithçka mund të duket e kuruar, edhe një fotografi e paqartë mund të ketë vlerë. Ndonjëherë, nuk është e rëndësishme që çdo detaj të jetë i dukshëm, por ndjesia që përcjell momenti i fotografuar.
