Një tjetër moment i rëndësishëm për Dua Lipën dhe krenari për shqiptarët! Këngëtarja me origjinë shqiptare do të jetë një nga artistet kryesore të Coachella 2027, duke kryesuar mbrëmjen e parë të festivalit prestigjioz, më 9 prill.
I konsideruar si një prej eventeve më të rëndësishme muzikore në botë, Coachella është kthyer ndër vite në një pikë takimi për yjet ndërkombëtarë të muzikës, modës dhe kulturës pop. Festivali zhvillohet çdo vit në Empire Polo Club në Indio të Kalifornisë dhe tërheq qindra mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të botës. Përveç koncerteve, ai njihet edhe për instalacionet artistike, skenat spektakolare dhe atmosferën që e kthen në një prej ngjarjeve më të komentuara të vitit.
Për Dua Lipën ky është një debutim i veçantë, pasi do të jetë hera e parë që performon në Coachella si një nga kryesueset e festivalit. Në të njëjtën mbrëmje do të ngjitet në skenë edhe Madonna, së bashku me Zara Larsson, Steve Lacy, Jisoo, Kehlani dhe Peggy Gou.
