Një moment i rëndësishëm historik është shënuar në Barcelonë, ku është vendosur pjesa e fundit e kullës qendrore të kishës ikonike Sagrada Familia, plot 144 vite pas nisjes së ndërtimit.
Kryqi monumental prej çeliku dhe qelqi, rreth 17 metra i lartë dhe me peshë mbi 12 ton, u ngrit dhe u vendos në majë të kullës kushtuar Jezu Krishtit, duke e çuar ndërtesën në një lartësi përfundimtare prej 172.5 metrash. Me këtë, Sagrada Familia bëhet jo vetëm ndërtesa më e lartë në Barcelonë, por edhe kisha më e lartë në botë.
Ceremonia u shoqërua me ngritjen e flamujve të Katalonjës dhe Vatikanit, ndërsa arkitekti kryesor i projektit e cilësoi këtë ditë si një moment të mbushur me emocione dhe gëzim për të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e monumentit ndër dekada.
Për vite me radhë, Sagrada Familia ka funksionuar si një kantier i hapur ndërtimi dhe është kthyer në një simbol të qytetit, duke tërhequr miliona vizitorë që kanë mbështetur financiarisht projektin. Brendësia e saj njihet për kolonat që ngjajnë me trungje pemësh dhe dritaret shumëngjyrëshe që krijojnë një atmosferë unike.
Megjithatë, projekti nuk ka përfunduar plotësisht. Faza e radhës do të jetë ndërtimi i “Fasadës së Lavdisë”, e cila pritet të kërkojë edhe rreth një dekadë për t’u realizuar.
