Një zhvillim i rëndësishëm në industrinë ushqimore po sjell një ndryshim të mundshëm në tregun global të kakaos, pasi për herë të parë janë prodhuar bare çokollate në laborator.
Një start-up izraelit, Celleste Bio, me mbështetjen e gjigantit ndërkombëtar të ushqimeve Mondelez (pronare e markave si Oreo, Cadbury dhe Toblerone), ka prezantuar një risi në fushën e “food tech”, duke synuar reduktimin e varësisë nga prodhimi tradicional i kakaos dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike në furnizim.
Kompania njoftoi se ka prodhuar 12 bare çokollate duke përdorur “gjalp kakao të kultivuar nga qeliza”, në ambientet e prodhimit të Cadbury në Birmingham.
Kjo teknologji synon të ofrojë një alternativë ndaj kultivimit tradicional të kakaos, i cili është i përqendruar kryesisht në Afrikën Perëndimore dhe është ndikuar ndjeshëm nga kushtet ekstreme të motit dhe mungesa e investimeve, faktorë që kanë ndikuar edhe në rritjen e çmimeve në vitet e fundit.
Drejtuesja e kompanisë, Michal Beressi Golomb, deklaroi për Financial Times se produkti i ri nuk është një zëvendësues artificial, por “çokollatë e vërtetë e krijuar përmes një procesi të kontrolluar laboratorik”, duke theksuar se përbërësi i prodhuar sillet njësoj si gjalpi tradicional i kakaos në proceset industriale.
Procesi i prodhimit nis nga një mostër e vogël qelizash kakaoje, të cilat rriten në tanke të specializuara dhe ushqehen me sheqerna dhe lëndë ushqyese, derisa prodhojnë yndyrnat dhe aromat karakteristike të kakaos natyrale.
Sipas kompanisë, synimi është marrja e miratimeve rregullatore në SHBA dhe Izrael deri në fund të vitit 2027, ndërsa procesi në tregun europian pritet të zgjasë më shumë.
Çmimet e kakaos janë luhatur ndjeshëm në vitet 2024-2025, duke arritur nga rreth 3 mijë dollarë për ton në mbi 12 mijë dollarë, çka ka ushtruar presion të madh mbi industrinë globale të çokollatës.
Kështu, kompani të mëdha si Mondelez, Lindt & Sprüngli dhe Cargill po investojnë në alternativa të reja të prodhimit, për të ulur varësinë nga tregu tradicional i kakaos dhe për të garantuar stabilitet afatgjatë në furnizim.
