Reperi Mossi është arrestuar nga policia pas një sulmi fizik ndaj gazetarit Burim Pacolli në Prishtinë. Ngjarja ndodhi disa ditë më parë dhe përfshiu gjithashtu dy persona të tjerë, të cilët janë arrestuar po ashtu. Sulmi ka lidhje me një video të postuar nga Pacolli në Instagram, ku ai rendiste disa prej “diss”-eve më të forta të reperëve shqiptarë, duke veçuar Butën (Betim Januzin), me të cilin Mossi ka një rivalitet të njohur.
Menjëherë pas incidentit, Mossi reagoi në rrjetet sociale duke argumentuar se gazetari e kishte sulmuar me fjalë për shkak të refuzimit të një interviste. Reperi kritikoi punën e gazetarit dhe u shpreh se reagimet e Pacollit ishin personale dhe të ekzagjeruara. Në postimet e tij, Mossi shkroi gjithashtu mesazhe kërcënuese, duke kërkuar që Pacolli të fshinte postimin dhe të mos e përmendte më.
“Duhet t’i japësh kohë ose edhe vit tjetrit që ta kritikosh përsëri, jo çdo projekt ende pa dalë mirë se ashtu është shumë e tepërt dhe personale”, shkruante Mossi në postim. “Mendove se si gazetar që je, je i paprekshëm e i mbrojtur”, vijonte ai duke përmbyllur se “s’do të jesh asnjëherë i paprekshëm”.
Gazetari Pacolli, nga ana e tij, hodhi poshtë çdo lidhje të sulmit me refuzimin e ftesës, duke theksuar se reagimi i tij nuk kishte për qëllim të provokonte dhunë. Me arrestimin e reperit, autoritetet dhe organet e drejtësisë pritet të vendosin për masat e mëtejshme dhe përgjegjësitë ligjore lidhur me këtë rast.