Ushqimet ultra të përpunuara (UPF) kanë më shumë ngjashmëri me cigaret sesa me ushqimet natyrale, sipas një studimi të publikuar më 3 shkurt në Milbank Quarterly nga studiues të Harvardit, Michiganit dhe Duke.
Sipas hulumtimit, këto produkte janë të dizajnuara për të nxitur varësi dhe konsum të tepruar, duke aktivizuar të njëjtët mekanizma shpërblimi në tru si produktet e duhanit. UPF-të përfshijnë ushqime industriale si pijet e gazuara, patatinat dhe biskotat, të pasura me aditivë artificialë dhe të lidhura me rritjen e sëmundjeve kronike.
Studiuesit paralajmërojnë se marketingu “i shëndetshëm”, si etiketat “pa sheqer” apo “me pak yndyrë”, shpesh është mashtrues dhe i ngjashëm me mënyrën si u promovuan dikur cigaret me filtër.
Ekspertët theksojnë se, ndryshe nga duhani, ushqimi është i domosdoshëm për jetën, ndaj kërkohen politika publike më të forta që të kufizojnë ndikimin e industrisë ushqimore, veçanërisht në vendet me rregullim të dobët.
