Një studim kombëtar i Universitetit të Tiranës nxjerr në pah një rritje shqetësuese të bullizmit kibernetik tek të rinjtë. Sipas anketës së kryer nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, një në pesë të rinj ka përjetuar cyberbullizëm, duke pasur pasoja fizike dhe psikike në 80-90% të rasteve.
Profesori Mark Marku dhe akademiku Artan Fuga shpjegojnë se ndryshe nga bullizmi tradicional, i cili zakonisht vjen nga njohurit e afërt, në rrjetet sociale agresorët janë shpesh profile anonime. Viktimat ndihen të pambrojtur dhe rrallë flasin për shqetësimet e tyre, madje as me familjarët apo psikologët. “Shkolla nuk ofron mbështetje, dhe shumë fëmijë mbeten të vetmuar përballë presionit online,” theksoi Fuga.
Studimi tregon se përdorimi i rrjeteve sociale është i njëjtë në qytete dhe fshatra, ndërsa TikTok rezulton si platforma më problematike, veçanërisht për përdoruesit më të ndjeshëm në zonat rurale. Nuk ka dallim të madh mes vajzave dhe djemve, ndërsa komunikimi virtual ka shkrirë pabarazitë gjinore dhe kufijtë gjeografikë.
Profesorët nënvizojnë se zhvillimi i shpejtë teknologjik ka lënë shumë përdorues të papërgatitur për përdorim të sigurt të internetit. Ata rekomandojnë ndërgjegjësim dhe edukim të vazhdueshëm jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të rriturit, për të përballuar sfidat e cyberbullizmit.
“Individët shpesh mbeten pas zhvillimeve teknologjike për shkak të mospërputhjes me ritualet dhe zakonet sociale,” tha Marku.
