Pas pjesëmarrjes në spektaklin “Big Brother VIP Albania”, modelja dhe moderatorja Kejvina Kthella duket se ka zgjedhur të ndjekë një rrugë më të qetë, larg dritave të forta të skenës dhe vëmendjes mediatike.
Ndryshe nga shumë ish-banorë të reality show-t, që menjëherë pas daljes vijojnë me projekte televizive apo bashkëpunime të reja, Kejvina është tërhequr ndjeshëm nga jeta publike. Ajo ka munguar në evente, programe dhe postime të shpeshta në rrjete sociale një ndryshim që nuk ka kaluar pa u vënë re nga ndjekësit e saj.
Së fundmi, përmes një përgjigjeje në Instagram, ajo ka ndarë arsyen pse ka vendosur të mos jetë më aq e pranishme në publik.
“Nuk më tërheq më fare, s’e di pse më ka ardhur ky ndryshim. Edhe unë habitem nga vetja, pasi më parë e kisha shumë qejf vëmendjen, programet, fotot, gjërat e reja. Nuk e di çfarë po ndodh… por unë po zgjohem çdo ditë ndryshe, me dëshira të tjera dhe ëndrra të reja”, ka shkruar Kejvina.
Ky reflektim vjen pas një periudhe të qetë për modelen, e cila u përjashtua nga “Big Brother VIP Albania” pas një incidenti gjatë një transmetimi “Prime”. Pas atij momenti, ajo ka zgjedhur të fokusohet në jetën personale dhe zhvillimin e saj të brendshëm, duke treguar një anë më të matur dhe introspektive.
Edhe pse fansat e saj presin rikthimin në ekran, Kejvina duket se është në një fazë ku prioritetet kanë ndryshuar. “Po zgjohem çdo ditë ndryshe” kjo fjali e saj përmbledh më së miri periudhën që po kalon: një fazë reflektimi, rritjeje dhe ndoshta, një fillim i ri jashtë zhurmës së zakonshme të showbiz-it shqiptar.
