Përdoruesit e WhatsApp-it do të shohin reklama për herë të parë, një ndryshim që ka ngjallur shqetësim sidomos në Europë.
Pas vitesh funksionimi pa reklama dhe me shërbime falas, WhatsApp ka njoftuar se do të nisë së shpejti të shfaqë reklama në aplikacionin e saj të mesazheve, që përdoret nga miliarda njerëz në mbarë botën.
Reklamat do të shfaqen vetëm në seksionin Updates (Përditësime), një hapësirë që përdoret nga rreth 1.5 miliardë njerëz çdo ditë. Ato nuk do të shfaqen në bisedat personale, theksoi kompania në një postim në blog të hënën.
Ky ndryshim përfaqëson një kthesë të madhe për aplikacionin, pasi themeluesit e tij, Jan Koum dhe Brian Acton, ishin zotuar në vitin 2009 se WhatsApp nuk do të kishte kurrë reklama. Facebook e bleu aplikacionin në vitin 2014 dhe që atëherë, kompania mëmë Meta Platforms Inc. ka kërkuar mënyra për të gjeneruar të ardhura nga WhatsApp.
Mesazhet personale, thirrjet dhe grupet ku një përdorues bën pjesë nuk do të përdoren për targetimin e reklamave, theksoi kompania.
Ky ndryshim është përballur me kritika në Europë, ku Komisioni Europian ka sinjalizuar që kjo qasje bie ndesh me Aktin e Tregjeve Digjitale (DMA) dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).
Organizata për të Drejtat Digjitale në Europë noyb, e drejtuar nga aktivisti Max Schrems, e kritikoi ashpër vendimin, duke e quajtur qasjen “Paguaj ose Prano”, si një mënyrë që i detyron përdoruesit të zgjedhin mes privatësisë dhe përdorimit të aplikacionit.
“Meta po bën pikërisht të kundërtën e asaj që kërkon ligji europian”, tha Schrems.
“Të dhënat e platformave të saj po lidhen, dhe përdoruesit po gjurmohen për reklama pa ndonjë zgjedhje të mirëfilltë. Pa pëlqim të lirë, lidhja e të dhënave dhe reklamimi i personalizuar janë qartë të paligjshme.”
Organizata noyb deklaroi se do të shqyrtojë veprimet e Meta-s dhe do të ndërmarrë procedura ligjore nëse është e nevojshme.
Schrems parashikon gjithashtu një largim të përdoruesve nga WhatsApp drejt aplikacionit alternativ Signal, duke e përshkruar këtë të fundit si jo-fitimprurës dhe i financuar nga donacionet, por me funksionalitete të ngjashme.