Forcat e Armatosura po tërheqin gjithnjë e më shumë të rinjtë shqiptarë, me një rritje të ndjeshme të interesit për t’u bërë pjesë e strukturave ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë të ditur këtë të shtunë se në Akademinë e Forcave të Armatosura janë regjistruar 127 kandidatë për Kursin e Përgatitjes së Oficerit.
Sipas ministrit, kjo përfaqëson një rritje prej 108% krahasuar me vitin e kaluar, një shifër që tregon një kthesë pozitive në perceptimin e të rinjve ndaj karrierës ushtarake.
“Forcat e Armatosura po bëhen gjithnjë e më tërheqëse për të rinjtë tanë! Këtë vit, për Kursin e Përgatitjes së Oficerit janë regjistruar 127 kandidatë, nga të cilët 33 vajza dhe 94 djem: një rritje prej 108% të regjistrimeve krahasuar me vitin e kaluar.”, shkruan Ministri.

Ky trend është tregues se Forcat e Armatosura po perceptohen gjithnjë e më shumë si një alternativë serioze për të rinjtë që kërkojnë një karrierë me integritet, disiplinë dhe shërbim ndaj vendit.
“Besimi dhe interesi në rritje i të rinjve, përfshirë edhe atyre të diplomuar, për t’u bërë pjesë e FA, një element përgjegjësie për strukturat tona akademike për të ofruar edukim dhe formim ekselent.”, shton ai.