Pas disa ditë intensive “lufte” me zjarret në vend, situata ka ardhur në përmirësim. Sakaq, flakët lanë pas dëme të shumta.
“Mbi 200 krerë janë groposur. Po ashtu edhe lopë, mbi 10 të tilla janë groposur, pasi kanë qenë të djegura plotësisht”, raporton gazetarja Ermelinda Hoxha nga Skënderbegasi.
Një pjesë e madhe e dëmtimeve është dhe tek bimët mjekësore të kësaj zone, siç është livando.
“Ka pasur hektarë të tërë të livandos që janë djegur. Ato janë një prej bimëve medicinale që eksportohen më së shumti jashtë vendit”, shton më tej gazetarja.
Në qarkun Gjirokastër, dëmet kanë qenë të konsiderueshme, duke kujtuar flakët masive që përfshinë Delvinën. Gazetarja, Dorina Muhaj, sqaron se dëmet më të mëdha kanë qenë në kullota dhe shkurre. Flakët sakaq nuk kanë kursyer as monumentet e kulturës, siç janë dy kishat në këtë qark.
“Nuk ka pasur dëme në banesa, ka pasur dëme në kullota, në shkurre. Në Delvinë, e gjithë kurora e qytetit është shkrumbuar totalisht nga pemët. Kemi dy kisha të dëmtuara. Kemi 29 banesa të djegura, 11 prej tyre kanë marrë dëmtime në themele, çka do të thotë se do të bëhen nga e para”, raporton gazetarja Muhaj.
Në Vlorë, problem mbetet fusha e mbetjeve, e cila ka dëmtuar cilësinë e ajrit për shkak të tymit toksik të saj.
“Vendgrumbullimi i mbetjeve në Vlorë mbetet ende problematike. Ai është përfshirë nga flakët gjashtë herë brenda sezonit veror. Situata ka qenë alarmante për të gjithë qytetin, kjo për shkak se sipërfaqja e mbeturinave të djegura është përkthyer në një tym toksik në të gjithë qytetin”, raporton gazetarja Greta Haskaj.
Drejtori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar AKMC, Klajdi Nikolla, u shpreh për Klan News se situata aktualisht mbetet nën kontrollin e forcave të posaçme, por rreziku ende mbetet konsiderueshëm i lartë.
“Aktualisht, situata është nën monitorim total. Çdo gjë është nën kontroll. Patjetër alerta dhe risku nuk kanë rënë, duke qenë se jemi në sezonin e gushtit dhe temperaturat vazhdojnë ngelen të larta. Moti dhe parashikimi nuk janë asnjëherë 100% të sigurta, pasi moti mund të ndryshojë nga momenti në moment. Strukturat janë të alertuara maksimalisht”, tha Nikolla.
Të gjitha këto, padyshim që janë një humbje e madhe për të gjithë banorët e këtyre zonave, pasi kanë parë që mundi i një jete është përpirë nga flakët, pa pasur mundësi të ndihmojnë sadopak në shpëtimin e tyre.
Por pavarësisht dëmeve, Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një njoftim më herët se do të ketë kompensime për të gjitha dëmtimet e shkaktuara nga flakët.
Do të jenë bashkitë e prekura të cilat do të bëjnë vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarrët. Kjo procedurë do të nisë me Grupin e Konstatimit, që do të kryejë inventarizimin e dëmeve, të ngritur me urdhër të kryetarit të bashkisë.
Ministria e Mbrojtjes sqaroi se ky grup realizon inventarizimin e dëmeve në banesa, infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike, objekte social-kulturore dhe plotëson formularët me kostot financiare.
Më pas, bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës, dhe pas vlerësimit financiar, çdo bashki përcakton koston e kompensimit, i cili kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile.
Kujtojmë se kryeministri ka deklaruar se nga 207 banesat e dëmtuara nga zjarri, 40 prej tyre do të rindërtohen nga e para nga buxheti i shtetit, pasi janë shkrumbuar totalisht.
Kompensim do të ketë për të gjitha bagëtitë dhe gjethët e ngordhur në zonat e djegura, 3 mijë e 619 krerë të evidentuar nga inventari i deritanishëm.
Për të gjithë zjarrfikësit dhe forcat e tjera të angazhuara në fikjen e zjarreve, veç mirënjohjes, kryeministri premtoi edhe bonus financiar.
Sipas kryeministrit, janë angazhuar 368 zjarrfikës dhe 635 mjete të tjera mbështetëse, ndërsa 12 avionë dhe helikopterë nga shtetet fqinje, por edhe Suedia e Emiratet, iu kanë ardhur në ndihmë ekipeve shqiptare të emergjencave. Me emër të përveçëm falënderoi homologun grek, që pavarësisht se edhe vendi i tij ka një situatë të vështirë, solli dy avionë “Canadair”.
Kryeministri premtoi se do të ketë rishikim të Kodit Penal për zjarrvënien.