“Edhe pse është shërbimi më i rëndësishëm në sistemin shëndetësor mjekësia e urgjencës e cila bën diferencën e diagnozës për pacientin dhe e shpëton nga vdekja në minutën e fundit, po refuzohet nga specialistët e rinj”, raporton gazetarja e Tv Klan Erikleda Dorezi.
Prej 30 vitesh në këtë shërbim, Edmon Zajmi, shefi i urgjencës së QSUT tregon arsyet përse të rinjtë stepen ta zgjedhin këtë specialitet.
“Ngarkesa e madhe fizike dhe emocionale sepse duhet të punosh në çdo moment të natës dhe të ditës me raste të vështira, të padiferencuara, të rënda që e kërcenojnë jetën nga momenti në moment dhe që ti e ke vdekjen e të sëmurit fare pranë”, shprehet shefi i urgjencës së QSUT, Edmond Zajmi.
Janë të paktë ata që kanë zgjedhur të punojnë në këtë shërbim, ku nevojat janë të mëdha. Mjekja e urgjencës, Albana Koçiaj vështirësitë, por edhe përfitimet profesionale nga ky specialitet.
“Ka kaq shumë punë, lodhje, stress, ngarkesë, familjarë, probleme e mungesa, por është i vetmi teatër ku mjeku ndjehet vërtëtë mjek”, thotë mjekja e QSUT, Albana Koçiaj.
Përveç trajtimit të rasteve të rënda, ditet me fluks në urgjenca janë ato që i vendosin këta mjekë në trysni të lartë.
“Ka mbi 300 raste ditë për ditë dhe shpeshherë ne detyrohemi t’i lejmë njerëzit edhe të presin për një kohë të gjatë sepse kemi raste të rënda. Pak a shumë si në të gjithë botën kodi i kuq janë 5-10 % të rasteve, 30 % të rasteve janë kodi i verdhë dhe pjesa tjetër janë kod jeshil dhe kod i bardhë”, theksoi Zajmi.
“Sipas drejtuesve të këtij shërbimi vitin e fundit kemi pasur një frymëmarrje në përthithjen e specialistëve të rinj ku nga 15 kuota kemi një realizm prej 7 kuotash, por sipas tyre duhet të rishikohet roli dhe statusi i mjekut të urgjencës”, raporton gazetarja.
“Të vlerësohet në maksimum siç është në vendet e tjera të botës”, shprehet Zajmi.
Në 5 vite realizimi i kuotave për mjekë urgjence ka qenë pothuajse zero, duke rrezikuar këtë shërbim në të ardhmen. Vetëm heqja e testimit për specilitetet e mjekësisë së urgjencës dhe asaj familjare solli këtë realizim këtë vit.