Në Brazil ka shpërthyer trendi i “biberonit për të rritur”, një trend që është bërë viral në rrjetet sociale dhe që po fiton gjithnjë e më shumë ndjekës. Ndër ta edhe figura të njohura si Neymar, i cili nuk e fsheh këtë dhe shfaqet në foto me një biberon në gojë.
Ky trend, i lindur në Kinë si një mjet për të lehtësuar stresin, ankthin dhe tensionet e përditshme, ka shpërthyer edhe në Brazil pikërisht në një moment kur vendi ndodhet në qendër të një debati të ashpër mbi shfaqjen e fëmijëve si të rritur, pra prirjen e shumë familjeve për të promovuar në internet imazhin e fëmijëve të veshur, të grimuar dhe me sjellje si të rritur, për të tërhequr shikueshmëri dhe përfitime financiare.
“Foshnjet e rilindura”
Edhe muajt e kaluar, Brazili kishte përjetuar tashmë trendin tjetër të njohur si “foshnjet e rilindura”, kukulla hiper-realiste me tipare të të porsalindurve, të dashura për koleksionistët, por edhe për të rritur që kërkojnë ngushëllim emocional.
Tani është radha e biberonit: në TikTok dhe Instagram po shtohen videot që tregojnë djem e vajza duke e përdorur një biberon gjatë momenteve të relaksit ose gjatë krizave të ankthit.
Arsyet psikologjike
Po çfarë e shtyn një të rritur të sillet në mënyra që të kujtojnë kaq drejtpërdrejt fëmijërinë? Sipas psikologes Mariane Pires Marchetti, e intervistuar nga O Globo, përdorimi i biberonit “është një shembull i mënyrës se si trupi dhe mendja kërkojnë mekanizma të shpejtë të vetërregullimit emocional si përgjigje ndaj mbingarkesës. Është një kthim simbolik në kohën kur thithja përfaqësonte siguri dhe qetësi”.
Edhe vetë fjala angleze “pacifier” (qetësues) sugjeron efektin relaksues. Megjithatë, edhe pse infantilizimi i të rriturve nuk është vetë një çrregullim, ekspertët mendojnë se mund të jetë një tregues i një shqetësimi të fshehur, një nevojë për regres të përkohshëm për të përballuar një realitet shoqëror që perceptohet si shumë kërkues apo shtypës.