Një studim i fundit tregon se leximi i horoskopit çdo ditë ul nivelin e stresit me 23% — edhe nëse nuk beson aspak në të.
Nëse e ke zakon të lexosh horoskopin çdo mëngjes dhe pastaj ta injorosh plotësisht atë që thotë, ke më shumë përfitime sesa mendon. Një studim i ri psikologjik, i publikuar në një revistë europiane të neuro-shëndetit (dhe shpërndarë gjerësisht në Instagram), ka zbuluar se vetë akti i leximit të horoskopit ka efekte pozitive në mirëqenien mendore.
Si funksionon, edhe pa besim?
Sipas psikologes klinike Dr. Ilira M., “Horoskopi funksionon si një mikro-ritual ditor. Ai ofron një ndalesë të shkurtër në rrjedhën e zhurmshme të mendimeve – një çast reflektimi, qoftë edhe përmes skepticizmit. Truri e do parashikueshmërinë, edhe nëse është trillim.”
Në thelb: nuk ka rëndësi nëse e beson që Saturni po ndikoka vendimet e tua. Rëndësi ka që e lexon, qesh ose mendon për një çast “po sikur?”, dhe kjo e shkëput mendjen nga ciklet e stresit të zakonshëm.
Efekti placebo i yjeve
Studiuesit e quajnë këtë fenomen “placebo astrologjik.” Ashtu siç një pilulë sheqeri mund të lehtësojë dhimbjen vetëm sepse beson se po të ndihmon, po ashtu dhe horoskopi – qoftë edhe si “argëtim” – mund të krijojë një iluzion kontrolli mbi jetën.
Kjo ndjesi kontrolli, sado e vogël apo e imagjinuar, ndihmon në uljen e kortizolit, hormonit të stresit.
Në mëngjes me kafen, në darkë me skepticizëm
Shumë pjesëmarrës në studim deklaruan se nuk e besojnë horoskopin “fare”, por e lexojnë çdo ditë, “sepse është qejf”. Disa e përdorin si mënyrë për të reflektuar mbi emocionet e tyre, të tjerë për t’u qeshur me sa ‘e gabuar’ është.
Megjithatë, efekti pozitiv mbetet i njëjtë: niveli mesatar i stresit ishte 23% më i ulët tek ata që lexonin horoskopin çdo ditë, krahasuar me ata që nuk e preknin kurrë.
Astrologji për ata që nuk besojnë në astrologji?
Kjo mund të jetë hera e parë që një aktivitet ku nuk beson megjithatë të ndihmon. Është një nga ato paradokset moderne ku nuk duhet ta marrësh seriozisht që të të ndihmojë vërtet.