E fituan mandatin e deputetit më 11 maj, pa pasur më parë asnjë përvojë në politikë, por 39 kandidatët fitues nga listat e socialistëve do të trajnohen për 30 ditë në Akademinë Politike, përpara se të ulen në shtator në karriget e parlamentit.
Kryesocialisti, ai që i përzgjodhi për t’i bërë pjesë të skuadrës së ligjvënësve për katër vitet e ardhshme, i mblodhi një ditë më parë në Kryeministri dhe u foli për etikën, përfaqësimin dhe rolin që do të kenë si deputetë.
Ndërsa nga kjo e premte e 20 qershorit deri më 20 korrik, për t’u treguar se cili është funksioni i Parlamentit, marrëdhëniet ndërkombëtare e ndërinstitucionale, vështirësitë e komunikimit politik dhe cili është programi i forcës ku ata bëjnë pjesë, si dhe vizioni i PS-së drejt 2030-s, janë përzgjedhur ata që mund të konsiderohen veteranët e partisë.
Mes atyre që do t’u mësojnë sekretet e të qenit deputet do të jenë dhe deputetë aktualë, të cilët në shtator nuk do të kenë mundësi të jenë më të tillë.