Moderatorja Delinda Disha ka bërë të ditur për ndjekësit e saj se nuk do të jetë më pjesë e emisionit investigativ “Xhadat” në MCN TV. Në një postim në rrjetet sociale, ajo sqaroi se arsyeja e largimit lidhet me mospagesën e rrogës së saj, ndonëse, sipas saj, kolegët e tjerë e kanë marrë pagesën për muajin prill.
“Miq, ndjekës, dua t’ju informoj se nuk do të jem më pjesë e MCN TV në emisionin investigativ ‘Xhadat’ si moderatore. Arsyeja e largimit: sepse kërkova rrogën time, ndërkohë që tashmë ish-kolegët e mi janë paguar që në muajin prill”, shkruan Disha në një postim në “story”.
Në një reagim tjetër, ajo akuzon drejtuesen e MCN, Marsida Karabollaj, se mban peng pagat e punonjësve për muaj të tërë dhe i largon nga puna sipas dëshirës.
“Ky është personi që nuk u jep pagat punonjësve për muaj me radhë dhe i pushon nga puna kur dhe si të dojë. Në vitin 2025 është e papranueshme të mbash peng punonjësit pa i paguar për kaq gjatë”, shkruan Disha, duke bashkangjitur edhe një foto të Karabollajt
Reagimi i saj ka ngjallur debat në rrjet, ndërkohë që MCN TV nuk ka dhënë ende një deklaratë publike lidhur me situatën.

