Udhëtimi në hapësirë përshpejton plakjen biologjike të trupit të njeriut
Se udhëtimi në hapësirë është i rrezikshëm për trupin e njeriut, kjo është diçka që tashmë dihej. Por tashmë, shkenca po zbulon pasoja edhe më të thella: qëndrimi i gjatë jashtë atmosferës tokësore mund të përshpejtojë plakjen biologjike të trupit.
Një studim i ri, i mbështetur nga NASA dhe i publikuar në revistën prestigjioze Cell Stem Cell, ka treguar se qelizat e gjakut humbasin aftësinë për të krijuar qeliza të reja të shëndetshme gjatë qëndrimit në hapësirë – një shenjë e qartë e plakjes së përshpejtuar në nivel qelizor.
“Hapësira është prova më ekstreme e stresit për trupin e njeriut,” – u shpreh Dr. Catriona Jamieson, drejtore e Institutit të Qelizave Staminale në Universitetin e Kalifornisë, San Diego.
Nën drejtimin e saj, ekipi i studiuesve përdori teknologji të avancuar dhe inteligjencë artificiale për të vëzhguar qelizat burimore hematopoietike – ato që krijojnë qelizat e gjakut dhe luajnë një rol kyç në funksionimin e sistemit imunitar.

Pas 32 deri në 45 ditë në hapësirë, u vunë re ndryshime shqetësuese: telomeret – segmentet mbrojtëse në fund të ADN-së – u shkurtojnë ndjeshëm, vetë ADN-ja u dëmtua dhe qelizat humbën aftësinë për të funksionuar normalisht.
Por nuk mungon edhe një aspekt pozitiv. Kur qelizat u kthyen në Tokë dhe u vendosën në kushte më të sigurta, disa nga dëmtimet u reduktuan, duke treguar se efektet negative të qëndrimit në hapësirë mund të jenë të kthyeshme deri në një farë mase.
Ky zbulim është një sinjal serioz për të ardhmen e udhëtimeve të gjata ndërplanetare. Nëse njerëzimi synon të arrijë në Mars apo përtej tij, do të jetë thelbësore të merren masa për të mbrojtur shëndetin e astronautëve ndaj efekteve të mikrogravitetit dhe rrezatimit kozmik.