Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka dënuar me shtatë vite burgim Fatime Kryemadhin për pastrim parash, pjesë e dosjes në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi për nënën e Monika Kryemadhit ulet në pesë vite dhe që i konvertohet në dy vite shërbim prove.
Sipas SPAK-ut, përmes veprimeve të Fatime Kryemadhit u futën në sistemin bankar rreth 846 mijë euro me burim të pajustifikuar, në favor të vajzës së saj, Monika Kryemadhi, dhe ish-dhëndrit Ilir Meta.
SPAK pretendon se këto veprime nuk janë kryer për përfitim personal, por në favor të vajzës së saj, Monika Kryemadhi, dhe ish-dhëndrit, Ilir Meta. Prokuroria kërkoi konfiskimin e vilës me argumentin se vlera e saj ishte e barasvlershme me shumën që pretendonte se ishte pastruar, por trupi gjykues ia rrëzoi kërkesën.
Ema Çoku, mikeshë e Monika Kryemadhit është dënuar me dy vite burg për të njëjtën akuzë, dënim që iu ul në një vit e gjashtë muaj dhe që iu konvertua në tetë muaj shërbim prove. Sipas SPAK-ut, Çoku kishte firmosur një deklaratë noteriale për një hua prej 220 mijë eurosh për të justifikuar burimin e parave të Fatime Kryemadhit.
Sa i takon Pirro Xhixhos, SPAK e akuzonte se gjatë kohës kur drejtonte AKEP-in, kishte favorizuar kompani të lidhura me biznesmenin Adrian Shatku, pas ndërhyrjeve të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Por, GJKKO e shpalli të pafajshëm.
