Blerta Rugova ka prezantuar librin e saj të parë, të titulluar “RUGOVIZMI – Revolucioni i qetë që fillon brenda nesh”, botuar nga shtëpia botuese Mediaprint.
Ky botim vjen si një përpjekje për ta parë Rugovizmin përtej politikës dhe historisë, duke e sjellë atë si një filozofi jete dhe një udhërrëfyes për përditshmërinë. Përmes faqeve të librit, autorja trajton vlera si dinjiteti, qetësia, përgjegjësia dhe rëndësia e ndryshimit që nis fillimisht nga vetë individi.
Përmes këtij mesazhi, Blerta Rugova synon t’i ftojë lexuesit të reflektojnë mbi veten, mënyrën se si jetojnë dhe ndikimin që mund të kenë te shoqëria përreth tyre.
“Shpresoj që secili lexues të gjejë pak nga vetja në faqet e këtij libri”, është shprehur Rugova, duke ndarë kështu edhe dëshirën e saj për një lidhje personale mes veprës dhe lexuesit.
Libri “RUGOVIZMI” do të dalë në shitje në libraritë e Tiranës më 16 nëntor, ndërsa në Prishtinë do të jetë i disponueshëm nga 23 nëntori. Lexuesit do të kenë mundësi ta porosisin edhe online përmes Mediaprint.
Gjithashtu, vepra do të jetë pjesë e Panairit të Librit në Tiranë gjatë muajit dhjetor, ku pritet të prezantohet edhe përpara një audience më të gjerë lexuesish.

