Përdorimi i inteligjencës artificiale gjeneruese po përhapet me ritme të ndryshme në Europë, por Shqipëria dhe Kosova po shfaqen si ndër vendet më aktive në adoptimin e kësaj teknologjie në rajon dhe më gjerë.
Sipas të dhënave të Anketës Europiane për Kushtet e Punës, publikuar në fund të muajit prill, rreth 12% e punonjësve në Bashkimin Europian përdorin IA gjeneruese në punën e tyre.
Megjithatë, grafiku i publikuar tregon se disa vende jashtë bllokut, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, renditen mbi këtë mesatare, duke u afruar me nivelet e vendeve më të zhvilluara. Kosova renditet e shtata në Europë, me 20% të punonjësve që përdorin IA gjeneruese, pas Luksemburgut (25%), Zvicrës (24%), Suedisë (21%), Norvegjisë (21%), Belgjikës (20%), Danimarkës po me 20%.
Ndërsa Shqipëria renditet e 11-a, me 18% të punonjësve që raportojnë se e përdorin IA gjeneruese, në nivele të njëjta me Gjermaninë, Austrinë e Finlandës dhe shumë më pak se Holanda (19%).
Në vendet e tjera të rajonit, përdorimi i IA gjeneruese është shumë i ulët, me Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Bosnjë Hercegovinën, që renditen në fund të Europës, me vetëm 3% përdorim. Në Mal të Zi treguesi është pak më i lartë, në 10%.
Fqinjët, si Greqia e Italia, ku kanë emigruar pjesa më e madhe e shqiptarëve, e përdorin shumë pak këtë mjet, në vetëm 5%.
IA gjeneruese është një lloj inteligjence artificiale që jo vetëm analizon të dhëna, por krijon përmbajtje të re, si tekste, imazhe, kode apo audio, duke u bazuar në modele që ka mësuar nga të dhëna ekzistuese. Ndryshe nga sistemet tradicionale të IA-së që fokusohen te parashikimi apo klasifikimi, IA gjeneruese mund të prodhojë materiale të ngjashme me ato të krijuara nga njeriu, duke e bërë të dobishme në fusha si shkrimi, marketingu, programimi dhe dizajni.
