Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka paralajmëruar qytetarët këtë të mërkurë, më 21 janar, të tregohen të kujdesshëm pasi një mesazh mashtrues po qarkullon kohët e fundit, për t’u marrë atyre paratë.
Mesazhi që mbërrin në celular i kërkon qytetarit të paguajë online gjobat për shkeljet e qarkullimit rrugor. Por është vetëm një mesazh “phishing” dhe linku që e shoqëron nuk duhet klikuar.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon se po qarkullon një mesazh “smishing” që synon të mashtrojë qytetarët me gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Mesazhi përmban një link mashtrues dhe kërkon kryerjen e pagesave online. Ky nuk është një komunikim zyrtar nga institucionet shtetërore dhe çdo qytetar që e merr këtë SMS duhet ta injorojë dhe të mos klikojë në link, apo të japë të dhëna personale.
AKSK ka ndërmarrë menjëherë masat për raportimin e bllokimit të faqes, për të parandaluar çdo dëm të mundshëm.”, thuhet në mesazhin e AKSK-së.
Për këtë arsye, AKSK iu bën thirrje qytetarëve të mos hapin linqe të dyshimta që vijnë nga SMS ose email-e jozyrtare, të mos kryejnë kurrë pagesa përmes faqeve që nuk janë domaine zyrtare dhe të njoftojnë menjëherë institucionet përkatëse nëse hasin mesazhe të tilla.
