Presidenti Donald Trump nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve nëse ShBA-ja do t’i bashkohet Izraelit për të goditur Iranin ose objektet e tij bërthamore.
“Ndoshta do ta bëj, ndoshta jo. Dua të them, askush nuk e di se çfarë do të bëj”, shtoi presidenti amerikan, i cili i kishte bërë thirrje Iranit një ditë më parë të “dorëzohet pa kushte” pas disa ditësh lufte me Izraelin.
Duke folur në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se Irani ka propozuar bisedime në Shtëpinë e Bardhë. Ai nuk dha detaje, ndërsa e përshkroi Iranin si krejtësisht të pambrojtur, pa asnjë lloj mbrojtjeje ajrore. Nga Teherani përgjigjja ishte e menjëhershme. Asnjë zyrtar iranian nuk ka kërkur të përulet përpara portave të Shtëpisë së Bardhë. Irani nuk negocion në presion, tha ambasadori iranian në OKB.
Më herët ishte udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei që hodhi poshtë kërkesën e presidentit DonaldTrump për t’u dorëzuar pa kushte.
Në një fjalim të regjistruar të transmetuar në televizion, paraqitja e tij e parë që nga e premtja, 86 vjeçari Khamenei, tha se amerikanët “duhet ta dinë se çdo ndërhyrje ushtarake do të shoqërohet padyshim me dëme të pariparueshme”.
“Kujt t’i dorëzohuni? Kombi iranian nuk mund të dorëzohet. Ne nuk i jemi nënshtruar askujt dhe nuk do të pranojmë asnjë lloj nënshtrimi.”
Në një fjalim të tij drejtuar kombit, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se regjimi i Ajatollahve po goditet me forcë të jashtëzakonshme. Ai falënderoi presidentin Trump për mbështetjen dhe në fund zotohet do të luftojë deri në fund.
Pas retorikës, filloi shkëmbimi i sulmeve me raketa të mërkurën pasdite. Re të larta tymi u panë në lindje të Teheranit ndërsa Izraeli intensifikoi sulmet e tij kundër Iranit. Gjithashtu avionët izraelitë sulmuan objektiva në Iranin Perëndimor.
Ndërsa lufta ka hyrë në ditën e gjashtë Izraeli vazhdon të ushtrojë presion ndaj Shteteve të Bashkuara ta ndihmojnë për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, dhe në veçanti për të përdorur bombat anti bunkerë.