E ftuar mëngjesin e kësaj të mërkure, 8 prill 2026, në emisionin Aldo Morning Show ishte Zhaklin Lekatari, e cila foli mbi etikën në media, mbingopjen nga show-t televizivë dhe impaktin e internetit.
E pyetur nëse njerëzit flasin lirshëm apo fshihen pas ekranit, Lekatari u shpreh: “Jo, nuk mendoj se njerëzit flasin më lirshëm, sepse mendoj se liria ka të bëjë me kulturën, vetëdijen, zhvillimin e brendshëm, lartësimin e njeriut”.
Ajo u ndal te personat që shkruajnë në internet me profile “fake”, me gjuhë urrejtjeje, të cilët i quan “luanët e tastierave”.
“Një kompani shqiptare ka bërë një studim mbi hapësirën virtuale në Shqipëri, me account-e që nxisin gjuhën e urrejtjes, që shkojnë nga profili i një personazhi te një tjetër, ndryshojnë algoritmin”.
Sipas Lekatarit, komentet bëjnë një narracion për personin, që mund të jetë pozitiv apo negativ. “Nëse ke më shumë komente, ti je më i shitshëm”, shprehet Lekatari.
Më tej, teksa ndan kritikën ndaj ofendimin, ajo dha dhe një rast kur sulmi online në internet mund të kthehet edhe në sulm personal.
“Kritikë është kur qëllimi i komentit është të përmirësohesh, jo të vë në dukje një problematikë pa të dhënë zgjidhje. Kur ti më ofendon, anatemon, është ofendim…
Njerëzit që më kanë kërcënuar online kanë bërë tentativa për të më dhunuar në rrugë. Ndaj unë kam lobuar kundër gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në internet. Te personat që nuk janë persona publikë dhe nuk janë mësuar me dhunën mund të marrin vendime të tmerrshme”, shton Lekatari.
