Nuk e dimë nëse sot keni gënjyer apo jeni bërë pjesë e ndonjë rrengu, por 1 Prilli vazhdon të mbetet një nga ditët më të veçanta dhe më të çuditshme të vitit. E njohur si Dita e Gënjeshtrave, kjo traditë ka rrënjë interesante – dhe jo gjithmonë të besueshme.
Sipas një prej historive më të përhapura, profesori Joseph Boskin tregoi se gjithçka nisi nga një shakaxhi i quajtur Kugel, i cili i tha një perandori se mund ta drejtonte më mirë vendin. I argëtuar, perandori e lejoi Kugel-in të bëhej “perandor për një ditë” më 1 prill, datë që ai e shpalli si ditën e gënjeshtrave. Por ironia qëndron në faktin se kjo histori rezultoi vetë një gënjeshtër – Boskin e kishte trilluar për një shaka, ndërsa lajmi u publikua në vitin 1983 dhe u besua për një kohë nga publiku.
Me kalimin e viteve, 1 Prilli u kthye në një traditë argëtuese, sidomos në Britani gjatë viteve 1800, ku njerëzit filluan të bënin rrengje mes tyre. Madje, edhe institucione prestigjioze janë bërë pjesë e kësaj loje. Një nga rastet më të famshme është ai i vitit 1957, kur u raportua për “pemë që prodhonin makarona”, duke habitur mijëra njerëz.
Sot, kjo ditë festohet në forma të ndryshme në botë: në Skoci zgjat dy ditë, në disa vende kufizohet deri në mesditë, ndërsa në Shqipëri rrengjet vazhdojnë gjatë gjithë ditës. Pavarësisht formës, një gjë mbetet e njëjtë: 1 Prilli është dita kur gënjeshtra kthehet në argëtim.
