Fansat e Harry Styles kanë shpërthyer të zëmëruar në rrjetet sociale pas publikimit të çmimeve të biletave për turneun e të ri “Together, Together” të artistit duke e cilësuar përvojën si të papërballueshme për shumicën e publikut. Megjithatë, debati po hap një diskutim më të gjerë mbi rritjen e kostove të koncerteve madhore në ekonominë aktuale.
Këngëtari britanik 31-vjeçar do të nisë një seri koncertesh në mbështetje të albumit të tij të katërt, Kiss All the Time. Disco, Occasionally, që publikohet më 6 mars. Turneu përfshin 12 netë në Wembley Stadium në Londër, duke thyer rekordin e Coldplay, si dhe 30 shfaqje në Madison Square Garden në New York, një shifër historike për një artist solo.
Në Mbretërinë e Bashkuar, çmimet e biletave për Wembley variojnë nga £44.10 deri në £466.24 për vende të ulura, ndërsa biletat në këmbë kushtojnë nga £144.65 deri në £279.45. Paketat VIP arrijnë deri në £725.45. Në SHBA, disa fansa raportuan çmime që shkonin deri në 1,000 dollarë për biletë.
Reagimet në rrjetet sociale ishin të ashpra.
“Together? Never,” shkroi një fans në Threads, ndërsa një tjetër u shpreh se nuk mund të justifikonte shpenzimin e një rroge të tërë për dy bileta. Disa e akuzuan Styles se po përfiton nga fakti që fansat do të blejnë pavarësisht çmimit.
A janë çmimet të justifikuara?
Në krahasim me turneun e tij të fundit në Wembley në vitin 2023, ku biletat maksimale kushtonin rreth £326, çmimi më i lartë këtë herë është rreth £140 më i shtrenjtë. Por kjo rritje pasqyron një trend më të gjerë në industrinë e muzikës live.
Turnetë në stadium janë jashtëzakonisht të kushtueshme. Rreth 10% e çmimit të biletës shkon për tarifa dhe taksa, ndërsa pjesa tjetër mbulon shpenzime si: qiraja e stadiumit, sigurimi, stafi, energjia, transporti, skena, ekipi teknik, provat, kostumet dhe ndërtimi i setit. Promotorët zakonisht marrin rreth 15% të fitimit bruto, ndërsa pjesa e mbetur ndahet mes artistit dhe kostove operative.
Kostot e energjisë mbeten gjithashtu të larta, me faturat në Mbretërinë e Bashkuar ende 45% më të shtrenjta krahasuar me dimrin 2021/22.
Harry Styles nuk është i vetmi artist që po përballet me kritika. Turnetë e Taylor Swift, Beyoncé, Billie Eilish dhe të tjerë kanë pasur çmime të ngjashme ose edhe më të larta. Edhe shfaqjet teatrale në West End dhe ndeshjet sportive po kritikohen gjithnjë e më shumë për mungesën e aksesueshmërisë financiare.
Pavarësisht kritikave, kërkesa për biletat është rekord. Ticketmaster konfirmoi 11.5 milionë regjistrime për shitjen e parakohëshme të biletave (presale) vetëm për New York-un shifra më e lartë ndonjëherë për një artist të vetëm. Si pasojë, Styles shtoi më shumë data në Londër dhe Amsterdam.
Ndërkohë, artisti ka njoftuar se do të dhurojë £1 nga çdo biletë e shitur në Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e ambienteve të vogla muzikore, duke mbledhur rreth £780,000 për LIVE Trust.
Zemërimi i fansave nxjerr në pah një realitet të vështirë: koncertet e artistëve globalë po bëhen gjithnjë e më luksoze dhe më pak të përballueshme. Pyetja që mbetet është nëse industria do të gjejë një mënyrë për të balancuar kostot në rritje me aksesin për publikun e gjerë apo nëse muzika live po shndërrohet në një privilegj për pak njerëz.
