Në prag të festave të fundvitit, Dogana Shqiptare ka njoftuar se do të funksionojë pa ndërprerje, 24 orë në ditë. Përmes një njoftimi për mediat, autoritetet doganore bëjnë të ditur se në pikat kufitare janë ndërmarrë masa të shtuara për përballimin e fluksit të lartë të udhëtarëve dhe transportit të mallrave.
“Dogana Shqiptare informon qytetarët dhe bizneset se strukturat doganore do të jenë në shërbim 24/24, edhe gjatë festave të fundvitit. Në zbatim të një plani të posaçëm organizativ, janë marrë masa të shtuara operacionale për të përballuar fluksin e rritur të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve gjatë festave të fundvitit, duke garantuar shërbim të pandërprerë dhe eficient. Këto masa synojnë lehtësimin e procedurave, shmangien e vonesave dhe rritjen e sigurisë në pikat doganore.”, thuhet në njoftimin për mediat.
Ndërkohë, vetëm pak më herët ditën e sotme, edhe Policia e Shtetit bëri me dije se do të ketë masa të shtuara në prag të festave të fundvitit. Masat përfshijnë rritje të prezencës dhe kontrollit në territor, kufij, qarkullim rrugor, ambiente publike e private, duke bashkëpunuar me pushtetin vendor, institucionet fetare dhe shërbimet e sigurisë.
