Një ditë pas festimeve të Pavarësisë, Shqipëria përkujton sot 81-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazistë. Ashtu si çdo vit, figurat më të larta të shtetit pritet të zhvillojnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, duke nderuar sakrificën dhe heroizmin e atyre që luftuan për liri.
Aktivitetet që nisën nga dje për 113 vjetorin e Pavarësisë në të gjithë vendin, pritet të vijojnë edhe sot në kuadër të ditës së Çlirimit.
Institucione të ndryshme të kulturës kanë njoftuar për program të larmishëm, si një mundësi e shkëlqyer për të festuar kulturën, historinë dhe traditat shqiptare me aktivitete që përfshijnë art, muzikë, valle, ekspozita dhe shumë më tepër.
Shqipëria u çlirua nga forcat fashiste dhe naziste më 28 nëntor 1944, pas një periudhe pesëvjeçare pushtimi që nisi me agresionin fashist italian më 7 prill 1939. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943, vendi ra nën kontrollin e gjermanëve.
Lufta për çlirim kulmoi në nëntor të vitit 1944. Tirana u çlirua më 17 nëntor të atij viti, ndërsa Shkodra dhe zona veriore më 29 nëntor, duke shënuar fundin e pushtimit gjerman në të gjithë vendin.
Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që arriti të çlirohej kryesisht me forcat e veta, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit u ndihmuan nga Ushtria e Kuqe.
