Aktorja Egla Ceno, një nga personazhet më të përfolura të “Big Brother VIP”, është shpallur fajtore për veprën penale të shpifjes ndaj gazetarit dhe moderatorit të njohur Saimir Kodra.
Vendimi u dha nga Gjykata e Tiranës, e cila e dënoi Eglën me 1 milionë lekë të vjetra gjobë, pasi deklaratat e saj publike u konsideruan të pabaza dhe të dëmshme për reputacionin e gazetarit.
Gjithçka nisi pas një deklarate tronditëse të bërë nga Ceno gjatë një interviste televizive, ku ajo tha se ishte “ngacmuar seksualisht” nga Kodra, në një rast pune. Kjo deklaratë shkaktoi bujë të madhe në publik dhe rrjete sociale, ndërsa gazetari reagoi menjëherë, duke paralajmëruar se do t’i drejtohej gjykatës.
Gjatë procesit, Egla ka dhënë disa versione kontradiktore: fillimisht tha se kishte frikë të paraqitej në gjykatë, më pas deklaroi se “nuk kishte përmendur Saimir Kodrën”, por vetëm mbiemrin “Kodra”. Në një seancë të mëvonshme, ajo pretendoi se deklaratat e saj kishin qenë “simbolike”, në mbështetje të grave të abuzuara.
Megjithatë, gjykata i konsideroi këto deklarata të paqëndrueshme dhe vendosi në favor të Saimir Kodrës, i cili u njoh si palë e dëmtuar. Vendimi u dha këtë të martë dhe tashmë është bërë publik, duke rikthyer sërish në qendër të vëmendjes një nga historitë më të bujshme që lindi brenda “Big Brother”.
Ky rast ka ndezur debatet në rrjete: ku përfundon fjala e lirë dhe ku fillon përgjegjësia ligjore për atë që thuhet publikisht?
