Nëse ke ëndërruar ndonjëherë të kuptosh çfarë po mendon macja jote kur të sheh me dyshim — kjo mund të mos jetë më thjesht fantazi!
Sipas studiuesve, inteligjenca artificiale (AI) po avancon me ritme marramendëse dhe shumë shpejt mund të jetë në gjendje të përkthejë “gjuhën” e kafshëve.
Kërkimet më të fundit në fushën e neuroshkencës dhe mësimit të makinave po përpiqen të analizojnë tingujt, sjelljet dhe shprehjet trupore të kafshëve për t’i shndërruar ato në mesazhe të kuptueshme për njerëzit.
Shkencëtarët po përdorin AI që mëson nga miliona regjistrime audio të zërave të kafshëve për të identifikuar emocionet e tyre — qoftë frikë, lumturi apo shqetësim.
Sipas “The Guardian”, disa start-up teknologjike tashmë po testojnë pajisje të vogla që mund të lexojnë emocionet e kafshëve në kohë reale, njësoj si një “Google Translate” për botën shtazore.
Nëse këto eksperimente vazhdojnë me të njëjtin ritëm, në pak vite mund të jemi në gjendje të komunikojmë drejtpërdrejt me kafshët tona shtëpiake – një hap që mund të ndryshojë mënyrën si i trajtojmë, kuptojmë dhe kujdesemi për to.
A do të na pëlqejë gjithmonë ajo që kanë për të thënë?